Dhuna ndaj partnerit
Në Holandë, dhuna e partnerëve është vepër penale.
Goditja e një partneri mund të dënohet me burg. Kur kjo dhunë shkakton lëndime të qëndrueshme të viktimës, dënimi mund të jetë më i ashpër. Jo vetëm dhuna fizike, por gjithashtu ngacmimi dhe dhuna verbale mund të dënohet.
Nëse ndodheni në një situatë emergjente dhe keni frikë nga dhuna e mëtejshme, mund të shkoni në një strehë (Blijf van mijn lijf huis). Personit që kërcënon të ushtrojë dhunë në familje ose të abuzojë me fëmijët mund t’i jepet një urdhër përjashtimi në familje (huisverbod), që e ndalon atij person të hyjë në shtëpi për një periudhë prej 10 ditësh. Kjo periudhë mund të zgjatet deri në 4 javë.
Në gjithë Holandën, ekzistojnë organizata të veçanta, të tilla si Veilig Thuis, të cilat ofrojnë strehim dhe mbështetje. Mund t’i telefononi ose t’i vizitoni. Ata mund të shkojnë me ju në polici, te mjeku ose në gjykatë. Kur kontaktoni Veilig Thuis, nuk jeni të detyruar të jepni emrin tuaj. Ju mund të merrni ndihmë dhe këshilla në mënyrë anonime dhe pa pagesë.
Ju mund të shkoni në polici menjëherë të paraqisni një ankesë. Ata janë të detyruar të respektojnë privatësinë tuaj. Nëse keni frikë nga dhuna e mëtejshme, policia mund t’ju mbrojë dhe personit që ushtron dhunën mund t’i jepet një urdhër i përkohshëm i përjashtimit nga familja (huisverbod). Policia është e detyruar t’ju trajtojnë në mënyrë të respektueshme dhe të saktë.
Sipas ligjit, nëse jeni pa status të qëndrimit ligjor, policia duhet t’ju trajtojë me të njëjtin respekt si viktimat e tjera. Policia nuk do t’ju arrestojë ngaqë nuk keni leje qëndrimi, dhe ju mund ta raportoni krimin në mënyrë anonime. Nëse dëshironi, një punonjës social ose një organizatë tjetër sociale mund t’ju shoqërojë.
Ndihma për autorët e krimit
Nëse mendoni se keni qenë të dhunshëm në një lidhje ose mendoni se ekziston rreziku që të bëheni të dhunshëm ndaj një personi tjetër, mund të kërkoni ndihmë. Terapia mund t’ju ndihmojë për të folur për ndjenjat dhe sjelljen tuaj dhe t’ju ndalojë të bëheni të dhunshëm (përsëri).